Si funksionon veshi

Veshi është organi i dëgjimit dhe ekuilibrit

       Proçesi i dëgjimit fillon me krijimin e një tingulli. Tingujt krijohen kur një objekt lëviz dhe shkakton vibrimin e ajrit përreth tij. Ky vibrim transmetohet në ajër në formën e një vale që quhet valë zanore. Kur kjo lëvizje e ajrit ngacmon veshin atëherë ne dëgjojmë një tingull.

       Në veshin e njeriut një valë zanore transmetohet në katër mjedise të ndryshme të sistemit auditiv derisa perceptohet si tingull.

1) Në veshin e jashtëm : ajër.

2) Në veshin e mesëm : një sistem mekanik.

3) Në veshin e brëndshëm : lëng.

3) Në tru : neurone.

Transmetimi i tingullit në veshin e jashtëm


       Vala ajrore transmetohet drejt mekanizmave delikate të dëgjimit me ndihmën e veshit të jashtëm.

       Fillimisht llapa e veshit në formë hinke e mbledh dhe e drejton valën zanore në kanalin e jashtëm të dëgjimit.

       Më pas vala zanore kalon në kanalin e dëgjimit drejt membranës timpanike.

Transmetimi i tingullit në veshin e mesëm


       Kur vala zanore godet membranën timpanike (daullen e veshit) ajo lëviz.

       Në këtë pikë energjia që mbart vala zanore transferohet nga mjedisi ajror në atë të ngurtë të veshit të mesëm.

       Daullja e veshit lidhet me një sistem prej tre kockash të vogla: Malleus, Inkus, Stapes, (që quhen zinxhiri kockor ) të cilat lëvizin bashkë me membranën timpanike.

       Kështu që cdo valë zanore që godet daullen vë në lëvizje edhe zinxhirin kockor.

Transmetimi i tingullit në veshin e brëndshëm

       
Zinxhiri kockor transmeton energjinë nga një mjedis i ngurtë në mjedisin e lëngshëm të veshit të brëndshëm nëpërmjet kockës më të vogël ,stapesit.

       Kjo kockë që quhet ndryshe edhe yzengjia është e ngjitur me një dritare në formë ovale e cila komunikon me veshin e brëndshëm.

       Cdo lëvizje e yzengjisë transmetohet nëpërmjet dritares ovale në lëngjet e veshit të brëndshëm.

       Lëvizjet e lëngjeve dhe membranës bazilare në veshin e brëndshëm shkaktojnë ngacmimin e disa zonave në organin e Kortit, i cili është pjesë e veshit të brëndshëm.

       Këto zona janë specifike për cdo frekuencë të vecantë dhe ngacmimi i tyre çon në krijimin e impulseve nervore që transmetohen në mbaresat nervore.

Transmetimi i tingullit në tru


       Me fillimin e impulseve nervore ndodh një ndryshim tjetër në mjedis : nga lëng në neuron (i ngurtë).

       Impulset nervore transmetohen nëpërmjet nervit të dëgjimit nëpër rrugët auditive deri në tru.

       Truri interpreton impulset nervore.